Në partneritet me Qëndrën për Ndërmarrjet Ndërkombëtare Private (CIPE), dhe Ambasadën e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, organizuam tryezën e dytë të diskutimit pasditen e datës 5 dhjetor 2024, me temë: “Integriteti i Biznesit si Katalizator për Rritjen e Qëndrueshme në Rrugën drejt Anëtarësimit në BE”.
Ky aktivitet theksoi nevojën për integritet, transparencë dhe gjithëpërfshirje midis aktorëve të biznesit në procesin e integrimit në BE.
Znj. Rozalija Vasilevska, Menaxhere e Programit për Evropën Juglindore pranë CIPE, mbajti fjalën hyrëse, duke nënvizuar rëndësinë e integritetit në ekosistemin dhe rrjetet e dhomave të biznesit në Ballkanin Perëndimor, si dhe përpjekjet për forcimin e avokatisë për anëtarësimin në BE.
Më pas, z. Andrea Ferrero, Shefi i Operacioneve për Zhvillimin Ekonomik dhe Social të Qëndrueshëm pranë Delegacionit të BE-së në Shqipëri, foli për rolin e dhomave të biznesit në Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Znj. Olimpija Hristova Zaevska, Drejtuese Ekzekutive e kompanisë Elson Solutions dhe nënkontraktore e CIPE, prezantoi temën “Vlerësimi i Gjendjes së Dialogut Publik-Privat dhe Sektorit Privat në Ballkanin Perëndimor”. Ajo ndau njohuri të vlefshme mbi ekosistemin e dhomave të biznesit në 6 vëndet e Ballkanit Perëndimor, analizën e rrjeteve dhe rekomandime konkrete. Z. Arben Shkodra, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ekonomik Kombëtar, diskutoi mbi nevojat dhe mundësitë për rritjen e kapaciteteve të avokatisë të dhomave të biznesit.
Znj. Albana Laknori, Sekretare e Përgjithshme e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, prezantoi temën “Ekosistemi dhe Rrjetet e Dhomave të Biznesit: Përforcimi i Avokatisë për Përpjekjet e Anëtarësimit në BE”.
Tryeza u përmbyll me një fjalim nga z. Erik Akse, Ekspert në fushën e Regullores më të mirë (Better Regulation) në BE dhe Themelues i IAI, i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes administratës dhe komunitetit të biznesit për t’u bashkuar me Tregun e Përbashkët Evropian.
Në pjesën e fundit të panelit, përfaqësues të ndryshëm të shoqatave dhe dhomave të biznesit diskutuan mbi sfidat dhe mundësitë specifike brenda ekosistemit të dhomave të biznesit në Shqipëri, duke theksuar se integriteti dhe veprimi kolektiv janë mjete thelbësore për përparimin drejt rrugës së BE-së.




